Puna Kerkimore dhe Shkencore
Planifikimi i Punës Kërkimore në FA
Është pothuaj e pamundur që puna kërkimore ti mbulojë të gjitha fushat dhe nevojat kërkimore që mund të kenë Forcat e Armatosura. Për këtë qëllim, Qendra e Analizave të Mbrojtjes drejton procesin e përcaktimit të Listës së Kërkesave Prioritare për Punë Kërkimore në FA, duke bërë përzgjedhjen prioritare dhe shtrirjen e kryerjes së projekteve kërkimore në afate kohorë.
QAM propozon miratimin e dy planeve kryesorë, të cilët i marrin inputet nga Lista e Kërkesave Prioritare për Punë Kërkimore në FA:
Plani Vjetor i Punës Kërkimore në FA. Ky Plan përpunohet nga KDS (QAM) duke listuar nevojat e autoriteteve dhe drejtorive të MM/SHP dhe komandave kryesore për punë kërkimore.
Plani Afatmesëm i Punës Kërkimore në FA. Ky plan zhvillohet si në rastin e Planit Vjetor, por shikon në periudhë perspektive disa vjeçare (normalisht 4-5 vjet).
Produktet e Punës Kërkimore në FA
Bazuar në këtë eksperiencë bashkëkohore, Qendra e Analizave të Mbrojtjes formatoi planin e parë të punës kërkimore të FA për vitin 2009-2010 me 24 projekte kërkimore prioritare në interes të transformimit të FA në planin afatmesëm 2014. Ky Plan është firmosur nga autoriteti më i lartë ushtarak i FA, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
Këto produkte të punës kërkimore të FA përfshijnë por nuk ezaurojnë spektrin e Detyrave Kërkimore, Rasteve Studimore, Studimeve Krahasuese, Zhvillimit të Koncepteve, Zhvillimit të Politikave, Raporteve të Pas Aktivitetit, Reçencave/ Oponencave, Testimeve, Eksperimentimeve & Simulimeve etj. Për të gjitha këto produkte kërkimore, Qendra e Analizave të Mbrojtjes ka bërë përshkrimin e karakteristikave të tyre në detaje në një dokument të veçantë të këtij website-i.
Një çështje qëndrore e punës kërkimore është edhe kontrolli i cilësisë së saj, pra sa ajo i shërben aktualitetit dhe perspektivës së zhvillimit të reformave të FA. Në këtë kontekst, vlerësimi i punës kërkimore dhe kontrolli i cilësisë së saj të kryhen mbi bazën e metodologjisë bashkëkohore të “sistemit Bloom të përmirësuar”, i cili ka në qendër të tij inkurajimin e punës së pavarur studimore e kërkimore të stafeve akademike bazuar në trajtimin analitik, reflektimi racional, arsyetimin logjik, gjykimin kritik dhe mendimin krijues.
“Filozofia” e punës kërkimore në FA
Në mënyrë që QAM të luajë rolin e një qendre të mirëfilltë kërkimore bashkëkohore dhe ti shërbejë cilësisht institucionit të mbrojtjes, ajo e drejton veprimtarinë e saj mbi baza tërësisht kërkimore, bazuar në parimet e mëposhtme:
Pavarësia dhe paanshmëria e shprehjes së mendimeve. Pozicionet e autorëve të produkteve të QAM nuk reflektojnë domosdoshmërisht qëndrimin zyrtar të KDS, të SHP dhe të MM. Kjo mënyrë veprimi i jep Qendrës lirinë akademike të shprehur në formatin “Chattam House” për të qenë kritike dhe krijuese në produktet e saj, larg frymës së konformizmit jo akademik. Nga ana tjetër, autorët mbjanë përgjegjësi për shtrëmbërimet e fakteve, shpifjet apo sharjet e shkrimeve të tyre.
Politika e mos-diskriminimit. Është një nga parimet bazë të zhvillimit të një qendre të pavarur në pikpamje të mendimit akademik. Kjo do të thotë që të gjithë autorët e punimeve kërkimore apo personeli i QAM nuk do të diskriminohen apo penalizohen për qëndrimet e mundshme alternative që ata apo kjo qendër prodhon, shfaq apo rekomandon për autoritetet e sigurisë e të mbrojtjes kombëtare që njeh ligji.
Produktet e QAM të kenë të Drejtën e Autorësisë (Copyright), dhe asnjë person nuk ka të drejtë të përdorë shkrimet e Qendrës apo pjesë të tyre, pa lejen me shkrim të QAM. Çdo përpjekje për të shkelur këto rregulla do të denoncohet si plagjiarizëm. Po ashtu, vetë QAM duhet të respektojë parimin e të drejtës së autorit dhe luftojë shfaqjet e plagjiarizmit në produktet e saj.
Produktet e QAM të synojnë të kenë tërësisht vlera aplikative, duke ofruar përqasje, mekanizma dhe procese të përmirësuara në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Çdo produkt duhet të përshkruhet mbi një format bashkëkohor ku vlerat informative të integrohen, me ato analitike, të sintezës, si dhe vlerat aplikative me rekomandimet e kurseve më të mira të veprimit bazuar në argumente të qëndrueshëm e në statistika të besueshme.
Zhvillimi i një komuniteti të punës kërkimore në FA.
Në përmbushjen e misionit për punë kërkimore në FA, QAM aktivizon bashkëpunëtorë kërkimorë të brendshëm dhe të jashtëm, të cilët mund të jenë ushtarakë apo civilë brenda ose jashtë strukturave të FA. Po ashtu, QAM synon ti kushtojë një vëmendje të veçantë shfrytëzimit të të gjithë potencialeve studimore e kërkimore të trupës së studentëve të AUS, të akademistëve të kurseve të ndryshme të AM, të ANO, të Kursit të Lartë për Sigurinë e Mbrojtjen etj.
QAM synon që, duke shfrytëzuar sistemin e menaxhimit të personelit, ti japë rëndësi të dorës së parë evidentimit dhe promovimit të komunitetit kërkimor në FA, evidentimit të talenteve të reja ushtarake dhe civile në fushën e kërkim-zhvillimit, si dhe tërheqjes e këtyre kapaciteteve njerëzore për tu bërë pjesë e kësaj fushe.
QAM synon që nëpërmjet aplikimit të hapur të Planit të angazhojë personelin me ekspertizën më të mirë kërkimore në FA. Por, ajo që do të përbejë risi në këtë fushë, është ndryshimi i mentalitetit në shpërblimin e veçantë të punës kërkimore, sepse ajo kërkon përveç se njerëz të talentuar, të përkushtuar dhe të pasionuar, edhe njerëz të vlerësuar me shpërblimin e merituar sipas një kuadri të përmirësuar ligjor.
 copy.jpg)
